Arbana Osmani ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me dhunën ndaj të rinjve gjatë protestave, duke shprehur shqetësimin e saj për atë që po ndodh në Tiranë.

Moderatorja shkruan se ka zgjedhur të heshtë për disa ditë, në përpjekje për të kuptuar më mirë situatën, por thekson se ajo që po ndodh nuk duhet trajtuar si një spektakël për komente dhe reagime në rrjetet sociale.

Si nënë e tre fëmijëve, Osmani shprehet se e dhemb të shohë të rinjtë e pashpresë, disa prej të cilëve në moshën e djalit të saj, të përballen me dhunën teksa kërkojnë të drejtat e tyre. Ajo shpreh gjithashtu trishtimin për situatën në Tiranë, duke e lidhur atë me zhvillimet e 30 viteve të fundit.

Reagimi i plotë:

Kam zgjedhur të hesht këto ditë, për të kuptuar më mirë se ç’po ndodh; sepse mendoj se ajo që po ndodh sot në Shqipëri nuk është një realitet show që duhet komentuar me tifozllëk nga divani i shtëpisë, as një mundësi për t’u shfaqur populiste me statuse për më shumë likes në Instagram.

Duhet kuptuar, për të reaguar.

Si një nënë e 3 fëmijëve, më dhemb të shoh të rinjtë e pashpresë, disa prej tyre në moshën e djalit tim, të rrihen dhe lëndohen duke marrë dhunën si të vetmen përgjigje për kërkesat e tyre legjitime, ashtu siç më dhemb të shoh Tiranën të digjet për të disatën herë në këto 30 vite.

Unë nuk kam besuar dhe nuk besoj kurrë se dhuna është zgjidhja. Këtë e mendoj jo vetëm si qytetare, por edhe nga ana e atyre policëve që tentojnë të shpërndajnë turmat me shkopinj gome, qoftë për ata që shkatërrojnë institucione e biznese që iu përkasin të gjithëve, qoftë dhe për plot miq e mikeshа të Instagramit që me statuset e tyre populiste justifikojnë dhunën.

Por si qytetare e këtij vendi ku kam vendosur të rris fëmijët e mi, sot më shumë se kurrë ndjej t’i them me zë të lartë kryeministrit:

“Mjaft; respekto popullin tënd, dëgjoje.”

Askush nuk e meriton këtë.

Leave a Reply

Trending