
Dr. Edmond Faber, bashkëshorti i ish-ambasadores së Shqipërisë në SHBA, Floreta Luli Faber, i është drejtuar me një letër të hapur kryeministrit Edi Rama, duke i kërkuar të largohet nga detyra në një kohë kur protestat kundër qeverisë vijojnë.
Në mesazhin e tij, Faber kujton mbështetjen që i ka dhënë Partisë Socialiste dhe Ramës në vitin 2013, kur ky i fundit erdhi në pushtet, ndërsa shpreh zhgënjimin për mënyrën se si është qeverisur vendi gjatë viteve të fundit. Ai ngre akuza për korrupsion dhe skandale, duke përmendur edhe zyrtarë të qeverisë. Faber i bën thirrje kryeministrit të reflektojë dhe të largohet nga pushteti, duke përdorur një shprehje mirditore: “Trim nuk është vetëm ai që qëndron, por edhe ai që ikën. Ma mirë një e hikme me nder se sa një e qëndrume për gazep”.
Në letrën e tij, ai thekson se largimi në momentin e duhur do të ishte një akt dinjiteti dhe, sipas tij, do të ndihmonte në qetësimin e situatës dhe përfundimin e protestave. “Dëgjoi studentët dhe kërkoji falje në televizion”, i drejtohet Faber kryeministrit, duke e paralajmëruar se nëse nuk vepron tani, mund të jetë tepër vonë. Në përfundim të mesazhit, ai i drejtohet Ramës me fjalët “Lamtumirë i dashur Edi, suksese në jetë”, duke e cilësuar veten si një qëndrestar të hershëm të Partisë Socialiste.




Leave a Reply